Pronat e rivleresuara: Ja tatimet qe duhet te paguajne ne rast shitje
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë një sqarim teknik për llogari të Hipotekës në lidhje me tatimin që duhet të vilet kundrejt banesave që kanë kaluar procesin e rivlerësimit.
Bazuar në ligjin 10418, datë 21.04.2011 “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjesë të borxhit tatimor dhe doganor”, i ndryshuar, neni 27 “Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët”, ndër të tjera përcaktohet se, për shitjen e pasurisë, të bërë pas rivlerësimit, tatimi llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi.
Përsa përcaktohet në dispozitat ligjore, pas plotësimit të kushteve të përcaktuara në nenin 27 të këtij ligji, vlera e pasurisë së paluajtshme njehsohet me vlerën e rivlerësimit.
Prona e paluajtshme, e cila është rivlerësuar nëpërmjet një procesi të sanksionuar me ligj, dhe individi ka shfrytëzuar hapësirat që vetë ligji i ka dhënë për të kryer procesin e rivlerësimit, pasuria në këtë rast bazuar në pikën 10 të nenit 27 të ligjit të sipërcituar, si çmim reference në çdo transaksion të mëpasshëm do të ketë çmimin e rivlerësuar dhe tatimi llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi.
Për sa më sipër, në rast se trashëgimtarët ligjorë, pronarë të pjesës së rivlerësuar të pasurisë së paluajtshme do të kalojnë të drejtën e pronësisë, në zbatim të dispozitave të nenit 8 “E ardhura e tatueshme” dhe pikës 1 të nenit 11 “Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme” të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, do të tatohen me 15 për qind të fitimeve të realizuar.
Po kështu edhe në rast se, pasuria e paluajtshme e rivlerësuar dhurohet dhe personi që përfiton pasurinë e paluajtshme me çmimin e rivlerësuar do e shesë/dhuron apo do heqi dorë nga e drejta e pronësisë, atëherë tatimi do të llogaritet dhe paguhet si diferencë e çmimit të shitjes (vlerës së tregut) dhe çmimit të rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme. |Monitor